'E keni bërë si tender' Rama përplaset me Sterkajn për emërimin e drejtorëve të rinj: Do merrem vetë, ju nuk i dhatë drejtim

1 Nëntor 2019, 14:52

TIRANE- Kryeministri Edi Rama do të marrë në dorë emërimin e drejtuesve të drejtorive rajonale në Shkodër. Kjo ka qenë deklarata e kreut të qeverisë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura me drejtuesit e rajonit të Veriut. Burime bëjnë me dije për gazetaren Klesiana Omeri, se ka qenë deputeti Paulin Sterkaj i cili është shprehur se çështja e emërimit të drejtorëve të rinj është kthyer në tender pasi secili propozon emrat e tij.

Kreu i qeverisë ka deklaruar do të merret vetë me këtë çështje duke qenë se ata nuk kanë mundur t'i japin drejtim. Ai ka njoftuar se ditën e hënë do të zhvillohet një mbledhje e posaçme me drejtuesit e Shkodrës.

"Nuk e kemi bërë tender. Musai më ka thënë që i keni çuar nga 7 lista. Kam menduar që ju do ta zgjidhni këtë gjë. Tani do merrem vetë. Meqë ju nuk i dhatë drejtim. Të hënën mbledhje e posaçme vetëm me Shkodrën për këtë gjë", mësohet të jetë shprehur Rama.

Një ditë më parë deputeti socialist Arben Pëllumbi deklaroi pas mbledhjes me tone të ashpra, se me vendim të kryesisë të PS-së është shkrirë struktura drejtuese e PS në Shkodër. 

Ai tha se presidenti Ilir Meta duhet të caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme në Shkodër.

Partia Socialiste ngriti dy komisione (një prej të cilëve qytetar) për zgjedhjen e drejtorëve të rinj në qarkun e Shkodrës. Ngritja e komisioneve erdhi pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit politik të Shkodrës pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit.

Rama udhëroi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve burra ndërsa deklaroi se për disa nga gratë do të rishikohet pozicioni. Kreu i qeverisë u shpreh se këto ndryshime nuk bëhen për shkaqe personale por bëhen për të krijuar një imazh të ri të PS në Shkodër.

    No videos found.