"E shihnin gruan si pastruese", Tefta Thaçi ia nis nga zero: Mposhta paragjykimet, po mbaj familjen (7 shkurt 2024)

7 Shkurt, 19:32

Tefta Thaçi, nënë e tre fëmijëve ia doli të mposhte paragjykimet dhe mentalitetin e zonës ku jetonte dhe ngriti nga zero punën e saj në Bathore, Kamëz.

Që në moshën 7 vjeçare  kishte pasionin e madh për të qepur rrobat e kukullave. Herë pas herë krijonte edhe me rruaza.

“Rruazat janë në gjakun tim”, shprehet ajo teksa na tregon se zanatin e artizanes e ka trashëguar tek fëmijët e saj.

I biri vetëm 17 vjeç, sapo kthehet nga shkolla, shkon të ndihmojë të ëmën me porositë e ditës. Punimet me rruaza janë nga më të ndryshme duke filluar nga çantat, rrathët e flokëve, qypa dhe aksesorë të vegjël.

Tefta punon nga mëngjesi deri në darkë në oborrin e shtëpisë së saj pasi të mbijetosh në këtë treg pa forcë punëtore është e vështirë. Megjithatë, të qënit e pavarur ekonomikisht e bën të ndihet e arrirë.

Është e lumtur që me të ardhurat nga kjo punë, po shkollon fëmijët dhe po siguron jetesën.