Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se nëpërmjet COVAX do të mbërrijnë edhe dy dërgesa të vaksinave brenda vitit.
“Nëpërmjet instrumentit të Covax tashmë jemi lajmëruar që në muajin tetor do të kemi edhe 188 mijë doza vaksine që mbërrijnë në Shqipëri nëpërmjet këtij instrumenti, ku Shqipëria ka parapaguar rreth 4 milionë dollarë. Ndërkohë që pritet që sërish nëpërmjet instrumentit Covax të mbërrijnë dhe rreth 370 mijë vaksina të cilat janë gjithashtu planifikuar për të mbërritur brenda këtij viti”, tha Manastirliu.
Me rritjen e disponibilitet të vaksinave, ministrja tha se vendi ynë mund të bëhet gati edhe për aplikimin e dozës së tretë.
“Sigurisht kjo është një kontratë e cila do të na japë mundësinë jo vetëm për të siguruar vazhdimësinë e vaksinimit për popullatën +18 vjeç, por është edhe pararendje, për çdo vendim të Komitetit të Vaksinimit dhe Komitetit të Imunizimit në raport me dozat e treta të cilat disa vende i kanë filluar. Kjo na jep një garanci më shumë në disponibilitetin e vaksinave”, vijoi ministrja.
Deri më tani, 36% e popullsisë është vaksinuar me dy doza, ndërsa 44% e saj ka marrë vetëm një dozë