Sonte në orën 20:00 opozita do të zhvillojë protestën e 10-të kombëtare për largimin e kryeministrit Edi Rama. Tubimi do të zhvillohet para selisë së qeverisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u kanë bërë thirrje militantëve dhe qytetarëve që t'u bashkohen sërish sonte.
Ende nuk dihet skenari i protestës, por Partia Demokratike pak ditë më parë theksonte se Lulzim Basha do të jetë së bashku me familjen në tubimin e sotëm. Policia e shtetit ka marrë masat për shmangien e incidenteve, jo vetëm përpara Kryeministrisë, por edhe Kryesisë së Kuvendit, parlamentit dhe godinat e tjera qeveritare. Kauza është e njëjtë, largimi i Ramës. PD-LSI dhe Presidenti nuk njohin zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, që i cilësojnë si farsë.
Por, protesta e 10-të e opozitës vjen mes divergjencave, pasi Basha nuk njeh dekretin e ri të 13 Tetorit pa u larguar Rama dhe pa krijuar një qeveri tranzitore, ndërsa LSI është dakord me Presidentin. Kryeministri Rama reagoi dje duke i paralajmëruar se limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Ndërkohë që edhe ndërkombëtarët kanë paralajmëruar opozitën se nëse do të ketë dhunë do të mbajnë ata përgjegjësi.