Një ditë para protestës së 10-të kombëtare të opozitës shqiptare përballë Kryeministrisë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t'i bashkohen në tubimin e së hënës në orën 20:00 për të larguar Edi Ramën nga pushteti.

"Nesër me 8 korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria si Europa! Asnjë hap pas! Rama Ik" shkruan ai.

Lideri demokrat kërkon largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të përgatisë sipas tij zgjedhje të lira, por LSI-ja, mendon ndryshe. Vetë Monika Kryemadhi, por edhe eksponentë të kësaj partie kanë njohur 13 Tetorin, dekretin e dytë të Metës si datë zgjedhjesh, ndryshe nga Basha.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:12
Pas Kamzës, Basha shkon në Durrës: Hajdeni të rrëzojmë Ramën


Kreu i opozitës, Lulzim Basha, pas vizitës në Kamëz dhe në Vorë, është ndalur një ditë para protestës edhe në qytetin e Durrësit.

Basha nga Durrësi ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protestën e nesërme për të vazhduar protestën deri në largimin e kryeministrit Rama.

Më pas Basha falenderoi qytetarët e Durrësit që sipas tij refuzuan masivisht regjimin e Edi Rames me 30 Qershor.

 “Masivisht duhet t’i bashkohemi protestes së ditës së nesërme për të treguar se të gjithë bashkë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. E nesërmja është bashkim i qytetarëve europiane që luftojnë për vlerat dhe parimet europiane”- tha Basha në takimin informal që zhvilloi në Durrës mbrëmjen e së dielës.

30 qershori ishte dita që shënoi fillimin e fundit real të Edi Ramës”- u shpreh më pas kryetari i Partisë Demokratike.
 

Ora 21:15
Mziu i doli kundër, por Basha i shkon në Kamëz një ditë para protestës


Vetëm një ditë nga nisja e protestës së 10 kombëtare të thirrur nga opozita, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur në qytetin e Kamzës ku u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj zone që të dalin në protestën e 8 korrikut.

Në ketë vizitë të Bashës në Kamëz ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi dhe kryetari i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu.

Megjithëse Mziu ka dalë kundër Bashës, duke thënë se nuk do ta lironte zyrën pasi zgjedhjet lokale do të jenë më 13 tetor. Datë kjo e vendosur sipas dekretit të Presidentit Meta. Ndërsa vetë Basha ka deklaruar se zgjedhjet nuk do të bëhen pa u larguar Rama si kryeministër.

Ashtu  siç bëri në Kavajë dhe në Elbasan edhe në Kamëz kreu i opozitës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë për të rrëzuar Ramën, pasi sipas tyre 30 qershori ishte jo i rregullt.


Pas Kamzës, Basha është ndalur në Vorë ku edhe aty ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e nesërme.