Ekskluzive/ Report Tv zbardh letërporosinë e Shqipërisë, dërguar Italisë për vdekjen e Davide Pecorellit

5 Mars 2021, 14:11

TIRANË- Report Tv ka zbardhur ekskluzivisht letër-porosinë e Shqipërisë për Davide Pecorelli, biznesmenin italian të zhdukur në Shqipëri.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta mëson se autoritete shqiptare u kërkojnë homologëve italian që të verifikojnë të gjitha llogaritë bankare dhe transaksionet që ai mund të ketë bërë drejt shtetasve shqiptar. Gjithashtu, u kërkojnë që të pyeten të gjithë partnerët e tij në bizneset që ka në Itali, të krahasohet ADN-ja e mbetjeve kockore me atë të familjarëve të tij, shuma e parave që ai ka pasur me vete kur është nisur drejt Shqipërisë, personat me të cilin ka qenë i shoqëruar ditën që ka lënë Italinë.

Ndër të tjera në letër-porosinë kërkohet edhe verifikimi pranë kompanive italiane të telefonisë të gjithë numrat e tij dhe kontaktet që ka pasur me numrat shqiptar. Një pikë e rëndësishme është edhe raportet që ka pasur me familjet. Tre janë pistat që grupi hetimor shqiptar në bashkëpunim me atë italian, janë fokusuar në zhdukjen e biznesmenit italian në Shqipëri, Davide Pecorelli. Dyshohet për zhdukje të vullnetshme, vetëvrasje dhe vrasje! Nga hetimet paraprake s’ka asnjë provë për vrasje, përfundim i dalë edhe nga ekspertët italianë gjatë vizitës së tyre në Shqipëri pak ditë më parë. Pista më e fortë është ajo e vetëvrasjes

Biznesmeni mbërriti në Shqipëri në 3 Janar. Nga 4  deri në 6 Janar ai rezervoi hotelin e turizmit në Pukë. Më 4 dhe 5 janar, ai fjeti aty dhe ishte i vetëm. Ditën e tretë, ndërsa po kthehej në rrugën e vjetër nga Shpali për në Pukë, afër fshatit Gjegjan, automjeti i tij me qira u gjet i djegur.  Ndërkohë, as hetuesit italianë dhe as shqiptarë nuk janë ende në gjendje të përcaktojnë nëse Davide ishte në makinën e djegur afër Pukës. Kjo për faktin se brenda automjetit u gjetën vetëm disa eshtra dhe sende personale, teksa pastori që thirri policinë tha se nuk kishte dëgjuar ndonjë thirrje për ndihmë.