Në ‘Një nga ne’, gazetarja Xhensila Nako sjell ditën e një artisti shkodran, i cili ka provuar emigrimin, por ka zgjedhur të rikthehet në vendlindje për të menaxhuar galerinë më të vjetër të artit në Shkodër, të trashëguar nga i ati. Çdo ditë, Kristi e kalon mes pikturës, ngjyrave dhe kujtimeve që e lidhin fort me qytetin e tij. Ai frymëzohet nga qytetet, tradita, motivet shqiptare dhe detajet e përditshmërisë. Punimet e tij kanë tërhequr vëmendjen e turistëve dhe politikanëve, ndërsa projekti i radhës është një ekspozitë personale në Itali. Në rubrikën ‘Speciale’, udhëtojmë drejt Përmetit, në shtëpinë e Lefter Sotirit, i cili ka krijuar një muze unik me këmborë dhe zile mbi 300-vjeçare. Edhe pse i janë ofruar 11 mijë euro për koleksionin, Lefteri nuk ka pranuar ta shesë, duke treguar se tradita, pasioni dhe trashëgimia vlejnë më shumë se çdo shumë parash.




















