Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 1 Shtator 2025 – Receta/ Stresi pas pushimeve, si ta menaxhojmë / Horoskopi Shtator

1 Shtator, 16:55 | Përditesimi: 1 Shtator, 16:55

Rreze Dielli nisi sot sezonin e ri televiziv nën tingujt e kitarës dhe zërit të kristaltë të Luna Çaushollit, më pas rubrika e gatimit ku zonja Albana solli një detoks të shpejtë me pak përbërës dhe dy receta plot shije: Kek me boronica dhe manaferra / Pastiçe fshati me perime dhe krem qumështi.

Pas një periudhe pushimi e relaksi, rikthimi në rutinën e përditshme shpesh shoqërohet me ndjenja stresi, mungesë motivimi dhe lodhje. Fillimi i sezonit të vjeshtës shënon për shumë njerëz një fazë të re, kthimin në punë, në shkollë apo në ritmet e zakonshme të jetës. Por si mund të kalojmë këtë tranzicion pa u ndjerë të mbingarkuar? Si të ruajmë energjinë dhe të rikthejmë motivimin, kur ditët shkurtohen e nisin të ngarkohen gjithnjë e më shumë. Kjo periudhë e vitit mund të shërbejë si një mundësi reflektuese për fillime të reja, për t’u rilidhur me veten, apo për të riorganizuar prioritetet dhe për të ndërtuar një rutinë të shëndetshme pa stres. Me panelistet e ftuara në studion e "Rreze Dielli", mentoren e potencialit njerëzor Diana Pushi dhe arkitekten e brendshme Anila Hetoja, tregojmë mënyra praktike për të përballuar ditët e para të rikthimit në rutinë dhe si mjedisi rrethues dhe ngjyrat e stinës mund të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien tonë të brendshme.

Shtatori nuk është vetëm muaji i rikthimit në shkollë apo në punë, por dhe një moment simbolik i fillimeve të reja. Në astrologji, ky muaj shënohet nga kalimi i Diellit në shenjën e Virgjëreshës dhe më pas Peshorja, duke nxitur përqendrim tek organizimi, balanca dhe marrëdhëniet. Por, cilat janë shenjat që ndihen më të prekura emocionalisht dhe financiarisht gjatë kësaj periudhe? Sipas numerologes dhe astrologes Liza Gjika, e ftuar në "Rreze Dielli" ndikimet planetare të Shtatorit prekin ndryshe çdo shenjë, por ka disa që hyjnë në një fazë më të thellë të ristrukturimit personal, si në ndjeshmëri, ashtu edhe në aspektin material. Çfarë simbolizon realisht Shtatori për njeriun në nivel shpirtëror dhe astrologjik, cilat janë shenjat që përjetojnë më shumë intensitet emocional dhe ndryshime financiare dhe si ndikojnë numrat e këtij muaji në rrugën personale dhe profesionale të secilit.

MC/Shqiptarja.com