Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Patëllxhanë me domate dhe erëza të freskëta / Tavë me pure dhe qepë të furrës.
Në këtë bisedë të veçantë në "Rreze Dielli", psikologia Jeta Toçila Dedja ndan me ne rrugëtimin e saj profesional dhe përvojën e jetës në Kanada, ku jeton dhe punon prej disa vitesh së bashku me bashkëshortin, ish-deputetin Taulant Dedja. Ajo rrëfen sfidat dhe bukuritë e integrimit në një vend të ri, si dhe mënyrën se si pasioni për psikologjinë e ka ndihmuar të ruajë lidhjet me njerëzit dhe kulturën shqiptare. Biseda ndalet gjithashtu te Panairi i Librit, një ngjarje që Jeta e sheh si një festë të mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Me rastin e këtij eventi, ajo prezanton librin e saj më të ri për fëmijë “Kush s’ka putra, ka pupla”, një përmbledhje tregimesh të ngrohta e plot humor që marrin frymëzim nga fenomenet e përditshme. Nëpërmjet tyre, autorja synon t’u përcjellë të vegjëlve mesazhe të rëndësishme për mirëkuptimin, dashurinë dhe guximin për të qenë vetvetja.
Në studion e "Rreze Dielli" njihemi me Joana Saliaj, një vajzë 14-vjeçare me zë të veçantë dhe pasion të jashtëzakonshëm për muzikën popullore. E lindur dhe rritur në Greqi, Joana këndon me ndjeshmëri e krenari këngë popullore në katër gjuhë të ndryshme, duke treguar se dashuria për artin nuk njeh kufij. Ajo flet për hapat e parë në muzikë, mbështetjen që merr nga familja dhe emocionet që përjeton sa herë ngjitet në skenë. Me pjekurinë dhe ëmbëlsinë e moshës së saj, Joana ndan dëshirën e madhe për të ardhur në Shqipëri, për të kënduar para publikut shqiptar dhe për të prekur më afër rrënjët e veta. Një vajzë e re, por me shpirt artisti që premton shumë për të ardhmen!





















