Zonja Albana solli katër receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Paella - Oriz me fruta deti / Sardele krokante në furrë / Supë me mish pule dhe makarona fidhe / Reçel me fiq të vegjël jeshilë.
Në studion e "Rreze Dielli" me një nga talentet më premtuese të modës shqiptare. Vetëm 18 vjeç, Erba Lulellari ka arritur të ndërtojë një profil mbresëlënës në një industri tepër konkurruese, duke e nisur rrugëtimin e saj që në moshën 14-vjeçare. Me pasion, përkushtim dhe një vizion të qartë për të ardhmen, ajo ka bërë që krijimet e saj të kalojnë kufijtë e Shqipërisë dhe të publikohen në revista prestigjioze ndërkombëtare si Photobook Magazine në SHBA, duke u renditur mes emrave të rinj që po tërheqin vëmendjen në botën e modës. Një tjetër sukses i rëndësishëm ka qenë publikimi në 4-Season Magazine, një eksperiencë që e ka ndihmuar të konsolidojë më tej identitetin e saj krijues. Sot, Erba synon të ndërtojë markën e saj globale dhe një atelie të vetën, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në industrinë ndërkombëtare të modës. Në këtë bisedë do të flasim për rrugëtimin e saj, sfidat dhe sukseset, ëndrrat për të ardhmen, por edhe për trendet që do të dominojnë verën e këtij viti.
Gazetarja Rezarta Delisula asnjëherë nuk e ka pasur kohën me tepri. Për shkak të profesionit, i është dashur të jetë përherë në lëvizje. Ideja për t’iu përvjedhur realitetit duke u fshehur nëpër gjethet e domateve, apo perimeve të tjera që sapo kanë filluar të rriten në ballkonin e saj, nuk i lindi papritmas një ditë, mes zhurmave mbytëse të përditshmërisë. Historia ka nisur thuajse 30 vite të shkuara nga babai i saj… Përveçse terapi e çlodhje, koha që kalonte nëpër vazot e ballkonit, tashmë ishte edhe në dobi të Morelit, djalit të saj. Shëndeti i tij qëndron përmbi gjithçka; perimet e pazarit sipas saj nuk ofrojnë asgjë të vërtetë. Në vazot drejtkëndore ka sallatë kale, speca, domate, panxhar, në ato më të voglat, që mund të jenë edhe filxhanë çaji, janë të gjitha erëzat, e po ashtu edhe lulet.... Si amvisë tironse Rezarta na tregon pasionin për gatimin, çajrat natyrale me kombinime të ndryshme e padyshim pijen e preferuar të saj Hardiçin.




















