Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 17 Shkurt 2026 – Receta / Ngacmimet në punë, ‘Skandali Epstein’, po në Shqipëri ç’fshihet?

17 Shkurt, 15:00 | Përditesimi: 17 Shkurt, 15:00

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Karrota me salcë qumështi në furrë / Qofte me lakër / Paluze me mollë.

Skandali i Jeffrey Epstein, i cili shpërtheu fillimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tronditi opinionin publik global dhe hapi një debat të thellë mbi anën e errët të elitave në politikë, biznes dhe art. Zbulimet rreth rrjeteve të pushtetit, heshtjes dhe mbrojtjes së ndërsjellë mes figurave me ndikim ngritën pikëpyetje të forta: sa larg shkon imuniteti i pushtetit, dhe sa e vështirë është për viktimat të flasin kur përballë kanë emra të mëdhenj?

Por ndërsa bota diskuton për skandale që dalin në dritë, lind një pyetje thelbësore për realitetin tonë: çfarë ndodh në Shqipëri? A ekziston edhe këtu një kulturë heshtjeje përballë abuzimit me pushtetin? Sa raste të ngacmimeve apo shfrytëzimeve seksuale në vendin e punës mbeten të padeklaruara nga frika e humbjes së vendit të punës, e presionit social apo e hakmarrjes profesionale? Sa gra dhe vajza guxojnë realisht të denoncojnë një shef, një drejtor apo një figurë me ndikim? Dhe kur e bëjnë këtë hap të vështirë, çfarë ndodh më pas me to? A gjejnë mbështetje ligjore dhe institucionale, apo përballen me izolim, paragjykim dhe pasoja në karrierë? Kjo është një temë e nxehtë, e ndjeshme dhe thellësisht aktuale, që kërkon diskutim të hapur dhe të përgjegjshëm. Për të analizuar këtë realitet nga këndvështrime të ndryshme, mediatike dhe ligjore, sot diskutojmë me panelistët e ftuar në "Rreze Dielli": Elton Tozaj, gazetar; Bitilda Mehmeti, avokate; si dhe nga Italia, Anila Halili, avokate.

Gazetari Elton Tozaj vjen me një rrëfim tronditës dhe tepër personal, duke deklaruar publikisht: “Edhe unë jam abuzuar në fëmijëri”. Ai tregon se në moshën 13-vjeçare përjetoi një traumë të rëndë, ndërsa përballja vite më vonë me paragjykimin nga familjarët dhe fisi e bëri dhimbjen edhe më të madhe. Një dëshmi e fortë që synon të thyejë heshtjen dhe të nxisë ndërgjegjësim për plagët e fshehura të shumë fëmijëve.

MC/Shqiptarja.com