Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 19 Mars 2026 – Receta / ‘Himni i ballokumes’ në Amerikë/ Marrëdhëniet në çift

19 Mars, 15:05 | Përditesimi: 19 Mars, 15:05

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë me përshesh me bukë misri dhe presh / Tavë me mish dhe qepë të njoma / Trahana me dhjamushka dhe salcë speci.

Në zemër të Filadelfia-s, larg trojeve shqiptare por pranë njëri-tjetrit në shpirt, shqiptarët e diasporës janë mbledhur për të festuar Dita e Verës, një nga festat më të dashura që simbolizon ardhjen e pranverës, gëzimin dhe rilindjen. Nga treva të ndryshme, ata sjellin me vete aromat dhe shijet e vendlindjes përmes gatimeve tradicionale shqiptare, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të vërtetë identiteti dhe bashkimi. Nën tingujt e “himnit të ballokumes” dhe mes emocioneve që sjell malli për atdheun, pjesëmarrësit ndajnë jo vetëm ushqime, por edhe kujtime, histori dhe krenarinë për kulturën e tyre. Ky panair kulinar tradicional shndërrohet kështu në një urë lidhëse mes brezave dhe një mënyrë për të ruajtur gjallë traditat shqiptare edhe larg vendit. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Rreze Dielli” nga Shtetet e Bashkuara, gazetarja Eva Dori na sjell më shumë detaje nga ky aktivitet i veçantë, duke e cilësuar si një moment të bukur bashkimi për shqiptarët e diasporës, ku kultura, arti dhe tradita ndërthuren në mënyrën më të shijshme përmes gatimeve autentike shqiptare.

Në marrëdhëniet në çift, pyetjet janë po aq të shumta sa edhe vetë përjetimet. Shpesh, njerëzit ndalen dhe reflektojnë mbi jetëgjatësinë e një lidhjeje apo të martesës, duke kërkuar përgjigje për ndjenjat, pasiguritë dhe sfidat që hasin gjatë rrugës. Ka disa dilema universale që përsëriten në çdo kohë, pavarësisht moshës apo përvojës, dhe që lidhen me intimitetin, komunikimin, besimin dhe kufijtë personalë. Sot, gjithnjë e më shumë çifte i drejtohen terapisë si një mënyrë për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për të përmirësuar marrëdhënien. Megjithatë, ekzistojnë ende shumë pyetje që njerëzit hezitojnë t’i bëjnë me zë të lartë nga turpi, frika apo pasiguria, duke i mbajtur shpesh brenda vetes. E vërteta është se pikërisht këto pyetje të pathëna mund të kenë ndikim të madh në cilësinë e një marrëdhënieje. Në këtë diskutim, do të ndalemi pikërisht tek disa nga këto dilema të ndjeshme dhe shpesh të pashprehura, të cilat do t’i trajtojmë në studion e “Rreze Dielli” së bashku me psikologen Elda Ruçi, për të sjellë më shumë qartësi, reflektim dhe ndoshta edhe disa përgjigje që mund të bëjnë diferencën në jetën e shumë çifteve.

MC/Shqiptarja.com