Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 26 Maj 2026 – Receta festive / Me stilisten e fëmijëve Suela Brahimllari

26 Maj, 14:12 | Përditesimi: 26 Maj, 14:12

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Bakllava e shpejtë me arra / Qengj në furrë me patate dhe hudhra / Byrek në tigan me mish të grirë dhe qepë të karamelizuara.

Në një botë ku ritmi i jetës shpesh na largon nga ndjeshmëria dhe magjia e fëmijërisë, ka ende njerëz që dinë ta përkëdhelin shpirtin me përralla, ninulla dhe dashuri të pastër. Të qëndrosh pranë fëmijëve në çdo etapë të jetës nuk është e lehtë, por për Suela Brahimllari kjo është kthyer në mision, frymëzim dhe mënyrë jetese. Me origjinë nga Korça dhe e rritur në Fier, ajo transmeton një energji të rrallë, që buron nga shpirti dhe dashuria për familjen. Përkëdhelitë, ninullat dhe frazat e ëmbla të fëmijëve, Suela i ka kthyer në identitet dhe frymëzim për krijimtarinë e saj. Gjithçka nisi në vitin 2013, me krijimin e një kapeleje të thjeshtë, një gjest bamirësie që më pas u shndërrua në një sipërmarrje të dedikuar plotësisht botës së fëmijëve. Që nga ai moment, ajo nuk u ndal më, duke ndërtuar hap pas hapi një ëndërr të madhe, të mbushur me sakrifica, pasion dhe shumë dashuri. Sot, në studion e “Rreze Dielli”, së bashku me tre vajzat e saj, Anabel, Evelin dhe Venera, Suela rrëfen rrugëtimin e saj të veçantë: nga profesioni i inxhinieres drejt realizimit të ëndrrës si stiliste, sfidat e një nëne si edhe fuqinë që të jep besimi për të ndjekur zemrën. Një histori frymëzuese që mbi të gjitha flet për dashurinë, atë më të pastrën, dashurinë për fëmijët.

MC/Shqiptarja.com