Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 8 Korrik 2025 – Receta/ Çmimet e apartamenteve/ Me artisten Nina Muho

8 Korrik, 15:03 | Përditesimi: 8 Korrik, 15:03

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me kunguj dhe oriz / Gjellë me patate me mish/ Sorbeto me shalqi.

Dikur, të kishe një apartament ishte një qëllim i arritshëm për çdo familje. Sot, është kthyer në një sfidë të madhe që zgjat për vite – madje për dekada. Në shumë qytete të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë, çmimet e apartamenteve janë rritur në mënyrë marramendëse. Po kush i blen? Sa prej tyre janë për banim dhe sa janë për investim? A po ndërtojmë më shumë për tregun sesa për njerëzit? Dhe mbi të gjitha: a ka më shpresë për të rinjtë që të kenë një çati mbi kokë pa rënë në kurthin e kredive afatgjata? Në këtë bisedë, flasim me eksperten e ekonomisë Blerina Gjyriqi dhe Fisnik Haçkaj, broker, për ndërtimet, për emigrantët që blejnë nga larg, për apartamentet që qëndrojnë bosh… dhe për ata që jetojnë ende me qira apo me prindërit, sepse nuk munden ndryshe.

Sot në studion e Rreze Dielli u bashkua një zë i rrallë, i fuqishëm dhe i ndjeshëm, një artiste që di të përçojë emocione nga opera e deri te kënga qytetare shqiptare. Ajo është sopranoja e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Nina Muho. Së fundmi, Nina ka sjellë një koncert të veçantë me 16 këngë qytetare shqiptare, të interpretuara për herë të parë me kuartet si një udhëtim në kujtesën tonë kolektive, një përqafim për tingujt që jetojnë në çdo brez.

MC/Shqiptarja.com