TIRANE-Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh sonte në emisionin 'Repolitix' të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv se Partia Socialiste është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në cdo kohë përballë kësaj opozite. Ai tha se në 1 korrik, kryeministri Rama do ta ftojë opozitën dhe me gjasë sipas tij për zgjedhje të parakohshme, por shtoi se Basha nuk do të pranojë duke e sfiduar. "PS-ja me fishkëllimë, në cdo moment është gati. Sot, nesër, të hënën, në gusht, ditën e vitit të ri, për pashkë, për ramazan, kur të duash ti. Në 1 korrik vendos bast se nëse Edi Rama thotë, dhe me gjasë do të e bëjë një ftesë, 'Luli hajde bëjmë zgjedhje', nuk ka shans në botë që PD-ja me 15% dhe LSI-ja me 1% të jenë gati për disfatën e radhës" tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj sqaroi prishjen e marrëdhënieve me LSI-në dhe daljen nga koalicioni, ndërsa u ndal edhe te nisma e shumicës për shkarkimin e Presidentit për të cilin tha se është i izoluar ndërkombëtarisht nga SHBA-BE, pas dekreteve për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe nxjerrjen e dekretit të ri, ndërsa theksoi se do të shkarkohet me ceremoni. Erion Veliaj u shpreh se në 30 Qershor do të kishte dashur që të kishte përballë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Pavarësisht kërcënimeve të opozitës, kryebashkiaku garantoi qytetarët se janë marrë të gjitha masat që të shmanget cdo incidentet në 30 Qershor. Në fund kryebashkiaku u shpreh se nuk ka ambicie për postin e kryeministrit të vendit, pasi "Edi Rama do të fitojë një tjetër mandat, të tretin".