Familjarë të viktimave Dritan dhe Nora Muskurti jashtë kamerave e konsiderojnë vrasjen e dyfishtë si të paralajmëruar dhe nuk është parandaluar nga policia. Ata thanë se ditën e premte, katër ditë para vrasjes autori Arsen Muskurti ka shkuar brenda agjencisë të udhëtimit dhe ka kërcënuar me armë të cilën e kishte me leje kunatën Nora Muskurti.
Pasi ka dal nga ambientet e biznesit, çifti i bashkëshorteve janë paraqitur në polici dhe kanë kallëzuar kërcënimin e marrë prej 38-vjeçarit. Familjarët e viktimave pohuan se paraqitën si prova kamerat e biznesit ku është filmuar e gjithë skena e kërcënimit. Po ashtu familjarët shprehen se pavarësisht kallëzimit, policia nuk reagoi për të arrestuar Arsen Muskurtin, i cili pasditen e së martës kreu vrasjen e dyfishtë. Banesat e dy vëllezërve në rrugën "Luçie Miloti" janë ngjitur me njëra-tjetrën. Në njërën prej tyre është e hapur dera e mortit, ndërsa shtëpia e autorit është e kyçur, gratë e tij dhe fëmijët nuk janë aty.