Fier/ Besimtarët ortodoksë festojnë ditën e 'Ujit të Bekuar', kryqi hidhet në shatërvanin e qytetit dhe kapet nga një 17 vjeçar

6 Janar, 11:54

Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit kanë festuar këtë 6 Janar, ditën e Ujit të Bekuar.

Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë në shatërvanin në sheshin “Europa” ku ky ritual është i përvitshëm. Procesioni nisi me meshën në kishë ku më pas në oborrin e saj besimtarë të shumtë mbushën ujin e bekuar, të cilin e kinsiderojnë mbarësi në familjet e tyre.

Më pas vargu i gjatë i besimtarëve iu drejtua shatërvanit të qytetit ku tre të rinj sipas zakonit u hodhën në ujë për të marrë kryqin duke sfiduar temperaturat e ulëta. Ishte 17- vjecari Samuel Kola ai që nxori kryqin nga uji në këtë ritual ku merrte pjesë për herë të parë teksa nuk ka fshehur emocionet.

I riu ia ka dorëzuar kryqin metropolitit të Apolonisë dhe Fierit, Hirësisë së tij, Imzot Nikolla, duke marrë bekimin e tij.

Ndërkohë, katekistja Ingrida Bida ka pohuar se këtë vit pjesëmarrja ka qënë më e ulët për shkak se kjo e hëné është ditë pune pas festave, por gjithsesi shumë besimtarë kanë gjetur kohën të bëhen pjesë e ceremonisë së përvitshme.