Frika nga përmbytjet në Vlorë, banorët vendosin thasët me rërë! Dredha: Përveç ‘Albano & Romina’, rrugët e tjera të kalueshme, qytetarët të njoftojnë

12 Janar, 22:48

Vijojnë reshjet e shiut në Vlorë, me intensitet mbi mesataren. Nga orët e mbrëmjes dhe në vijim rrugët që u raportuan më herët, janë ende me prezencë uji. Lagja Pavarësia 3, 29 Nëntori, zona e Skelës, 24 Maji, ndërkohë që rruga ne lagjen Pavarësia 3 është e pakalueshme për makinat e ulëta, zonat dhe lagje të tjera kalohen pa problem edhe pse ka prezencë uji.

Punonjësit e Bashkisë së Vlorës nga mbrëmja e djeshme dhe në vazhdim qëndrojnë në terren për të mbajtur te pastra pusetat, ndërkohë që hidrovori i qytetit punon me kapacitet maksimal.

Nata dhe dita e nesërme parashikohen me reshje intensive dhe banorët e pronarët e bizneseve kanë vendosur thasët me rërë, por dhe prita të ndryshme për të mos hyrë uji nëse do ketë shi. Po ashtu dhe makinat janë hequr nga garazhet që shpesh herë përmbyten, informon gazetari i Report TV, Armand Xhelili.

Nga era e fortë që vijon të fryjë deri në 20m/s edhe lundrimi detar për anijet e tonazhit të lehtë është pezulluar, tragetet kryejnë itinerarin Vlorë Brindisi dhe anasjelltas pa probleme.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha është shprehur sot në mbrëmje se përveç rrugës ‘Albano dhe Romina’, e cila ka ende probleme me qarkullimin, rrugët e tjera janë të qarkullueshme.

“Kemi asistuar në dy banesa që ka pasur prezencë uji dhe kushdo që ka probleme të lajmërojë”, tha Dredha.

Ndërkohë kryebashkiaku tha se një tjetër pompë po i shtohet hidrovorit të qytetit, me qëllim përmirësimin e situatës sa më shpejt.