TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hequr mandatin kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut.
Me 5 vota pro, anëtarët e KQZ, duke marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, vendosën që Agim Kajmaku nuk duhet të jetë më në krye të Bashkisë së Vorës, pasi ka shkelur ligjin e dekriminalizimit, duke mos pasqyruar arrestimin e më pas hetimin nga autoritet greke.
Edhe KQZ-ja, njëjtë si Prokuroria e Përgjithshme, u shpreh se Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin dhe më pas hetimin në Greqi, duke bërë që ai të jetë në kushtet që e kap ligji i dekriminalizimit.
Avokati i Kajmakut, Isuf Shehu, hodhi dyshime mbi procesin e verifikimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj kryetarit të Bashkisë së Vorës.
“Prokuroria nuk ka mundur të administrojë asnjë vendim të formës së prerë për Agim Kajmakun. Administrimi i akteve nga ana e Prokurorisë duhet të bëhet vetëm në rrugë zyrtare dhe duhet të ishin bërë përmes letërporosiv. Verifikimet nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë të paplota.”,- u shpreh Shehu.
Ishte Partia Demokratike, përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhit, që iu drejtuar në mënyrë zyrtare me 20 gusht Prokurorisë së Përgjithshme, për të nisur verifikimet ndaj Agim Kajmakut, i cili sapo ishte zgjedhur si kryebashkiak i Vorës, nën siglën e PS.
Prokuroria e Përgjithshme, pas verfikimeve të bëra, i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku, si dhe e vuri në hetim, për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit.
Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.
Agim Kajmaku është kryebashkiaku i dytë që nuk e gëzoi mandatin e marrë në zgjedhjet e 30 qershorit.
I pari ishte Valdrin Pejtri, i cili nuk e mori mandatin e kryebashkiakut, pas denoncimit të PD-së se ai ka qenë i arrestuar në Itali, dhe këtë gjë e ka fshehur në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Pjetri nuk u betua si kryebashkiak, duke hequr dorë nga marrja e këtij posti.