Gara për shefat e 48 komisariateve/ Publikohet lista me 290 emra, 9 prej tyre janë gra

12 Nëntor, 17:28

I konsideruar gjithmonë si një detyrë e burrave, pozicioni i shefit të komisariatit në polici nuk është më i tillë. E para grua që theu mitin ishte Anila Popa disa vite më parë në krye të komisariatit të Librazhdit. Vite më vonë, kur Policia e Shtetit është nën ethet e garës në të gjitha nivelet drejtuese, 9 gra kanë shfaqur interes për pozicionin e shefes së komisariatit. Blutë këtë të martë publikuan listën me 290 emra kandidatësh, të cilët garojnë për 48 pozicione në të 12 drejtoritë e qarqeve.

Dy ish-zëdhënëse janë në garë, aktualisht në pozicione të tjera, Alda Prela, shefe e Kartotekës Kriminale në Policinë e Lezhës dhe Edjona Dano, shefe e Krimeve në Komisariatin nr. 6. Më tej, lista e grave konkurrente për shefe komisariati vijon: Amarilda Shabani, Enerjeta Aliaj, Ermonela Matuka, Geralda Mançellari, Nadire Gjinali, Nertila Meta dhe Vera Vasia. Aplikimi i grave për poste të larta në Policinë e Shtetit vjen si një strategji e bluve për përfshirjen e tyre në rolet më të larta. Ndërkohë, në garë, përveç emrave aktual shefash komisariatesh burra, interes ka nga pozicione më të ulëta, shefa krimesh dhe rendi, duke përfshirë gradat “nënkomisari”, “komisar” dhe “kryekomisar”.

Procedura e përzgjedhjes pritet të jetë e njëjtë si ajo për drejtor qarqesh. Të gjithë aplikantët do t’i nënshtrohen kontrollit nga një komision vlerësimi në bazë të performancës, etikës, edukimit e më gjerë. Në fund, vetëm 48 prej tyre pritet të marrin emërimin përfundimtar.

    No videos found.