Nga sot Gjykata Kushtetuese mund të nisë zyrtarisht mbledhjet plenare dhe shqyrtimin e çështjeve pas gati 3 vitesh mosfunksionim. Përparim Kalo, anëtari i gjashtë i saj bëri sot betimin në Presidencë dhe merr zyrtarisht detyrën. Ceremonia është zhvilluar paraditen e sotme, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucioneve të pavarura.
Përparim Kalo u emërua dje nga Presidenti Meta, brenda pak orëve pasi ka marrë listën me dy emra nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në lidhje me emërimin e Kalos reaguan menjëherë ambasadorja e SHBA Yuri Kim, e cila e konsideroi një hap gjigant përpara, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, si dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf.
Edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, reagoi duke e kosnideruar plotësimin e Gjykatës Kushtetuese si arritje e rëndësishme për institucionet dhe njerëzit si pjesë e reformës në drejtësi. Ndërsa Prezenca e OSBE në Tiranë e cilëson lajm fantastik, ndërsa shkruan në latinisht 'Ad Majora' një frazë e përdorur si dëshirë për të arritur rezultate gjithnjë e më pozitive në punën e dikujt.
Ky emërim i Kalos nga Presidenti erdhi pasi të martën është betuar Altin Binaj, anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese, i cili u zgjodh nga Kuvendi seancën e së enjtes së kaluar.
Kujtojmë se vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh ndërkohë që duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, e cila edhe ajo nuk është funksionale.
Përveç Kalos e Binajt, Gjykata Kushtetuese ka edhe katër anëtarë të tjerë si Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.
