Ndonëse ende nuk ka raste të konfirmuara me grip në vendin tonë, bluzat e bardha nuk e përjashtojnë qarkullimin e tij. Simptomat si temperaturë, rrufë apo dhimbje fyti ndonëse janë shumë të ngjashme me virozat stinore, mund të jenë tregues të gripit.
"Simptomat e gripit janë të njëjta dhe me virozat e tjera respiratore të stinës pra temperaturë, rrufë, kongjesionazal, teshtima dhimbje fyti në fillimet e veta apo në rastet më të lehta, pastaj sigurisht më vonë në rastet që shfaqen komplikacione këto mund të ndërlikohen me prekje dhe të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes prandaj pacienti duhet të paraqitet tek mjeku sepse nuk e diferencon dot vet nëse ka të bëj me gripin apo me një virozë tjetër dhe duhet të paraqitet që në simptomat e para", tha Hajdini.
Rastet me të komplikuara referohen në spital, aty ku u bëhet dhe tamponi për të përcaktuar llojin e virusit të gripit. Nga ana tjetër interesimi ka qenë i lartë për vaksinën e gripit, siç tregon mjekja e familjes Ursina Hajdini, ku vetëm në Qendrën Shëndetësore nr.2 në Tiranë janë kryer 350 vaksina gripi në javën e parë.


















