‘Vizatime 2021-2024” titullohet ekspozita e piktorit Gazmend Leka, e cila çelet këtë të enjte në orën 11:30 në galerinë e Artit “Vilson Kilica” në Fier. Ekspozita vjen e kuruar nga Ermir Hoxha dhe do të qëndrojë e hapur deri më 20 nëntor.
“Imazhe digjitale” është vepra me autor Nestor Krajën, që vjen premierë më 8 nëntor në orën 17:00 në sallën e Universitetit të Arteve. Në vepër paraqiten dy tema kryesore dhe një episod i zgjeruar, të cilët tentojnë të krijojnë dramën e kohës. Tema e parë energjike, e vrullshme, kornizohet nga një material i përbërë nga katër akorde të quajtura “Tablotë digjitale” dhe i lë vendin temës së dytë, lirike, elegante, personifikim i dashurisë njerëzore, jetës së vërtetë dhe të bukur plot shqetësime të ëmbla.
“Vajza dhe Mure” është seria e radhës e GIZTalks, ku Elga Mitre dhe Alesia Xhemalaj do të prezantojnë instalacionin artistik dhe rrëfime personale, me në qendër gruan. Projekti artistik ka në fokus të drejtat e grave, stereotipet dhe barrierat, dhunën me bazë gjinore dhe fuqinë më të madhe të gruas, fuqinë e dashurisë. Aktiviteti do të zhvillohet më 8 nëntor në orën 14:30 në mjediset e GIZ Albania.