Kompania 'Eral Construction' nuk ka leje mjedisore për guroren në Bënçë! Ndërpriten protestat, banorët: Presim zgjidhje nga Tërmet Peçi

19 Qershor 2021, 12:34 | Përditesimi i fundit: 2021-06-19 14:51:32

GJIROKASTËR- Kompania e ndërtimit “ERAL CONSTRUCTION" e cila po ndërton rrugën Lekdushk-Bënçë-Tepelenë nuk disponon leje mjedisore për të shfrytëzuar gurin gëlqeror në zonën e Bënçës.  Burime për Report Tv thanë se kjo kompani ka marrë me qira territorin nga Bashkia e Tepelenës për kantier, por ende nuk disponon leje nga Agjencia e Mjedisit për të ngritur dy impiante për franksionimin e gurit gëlqeror dhe për prodhimin e asfalt-betonit.

Pikërisht kundër kësaj guroreje protestuan ditën e premte banorët e fshatit Bënçë të cilët thanë se kompania e ndërtimit po dëmton natyrën, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe erozion të tokës. Edhe pse paralajmëruan se protestat do të vijojnë deri në grevë urie, këtë të shtunë situata paraqitet e qetë. Banorët thanë në bisede telefonike për Report TV, se po presin një përgjigje nga kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi.