Anëtari i PD në KAS, Elvis Çefa në një prononcim për mediat foli pas verifikimit të 94 kutive të Gramshit dhe Peqinit. Çefa tha se kanë evidentuar disa problematika si pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura apo kur procesverbalet nuk janë administruar sipas akteve nënligjore që përcakton Komisioni Rregullator.
Por Çefa thekson se është ende herët për të arritur në konkluzione, pasi procesi do të vijojë në faza të tjera, ku palët do të ridëgjohen në KAS, ku do të merret edhe vendimi për ankimin e PD për pavlefshmëri të rezultatit të zgjedhjeve për qarkun e Elbasanit.