Humbja në zgjedhjet e 25 prillit, Fatmir Mediu në Report Tv: Nuk funksionuam si koalicion me PD-në, na penalizoi!

5 Maj 2021, 13:39 | Përditesimi i fundit: 2021-05-05 16:50:08

Për kreun e Partisë Republikane, aleatin më të rëndësishëm të Lulzim Bashës, Fatmir Mediu koalicioni i Partisë Demokratike nuk funskionoi si i tillë dhe kjo ndikoi edhe në rezultat. Z. Mediu ka thënë se duhet të kishte një shfaqje si ekip.

"Sa i përket brenda opozitës ne kemi kërkuar koordinim nga qendra deri në bazë, edhe për të mbrojtur votën por edhe për të maksimalizuar votën. PR si forca e dytë në koalicionin opozitar nuk pati mundësinë të garonte në të gjithë qarqet. Se sa ndikoi kjo në rezultat duhet analizuar. Pra, për mendimin tim nuk funksionuam si koalicion. Duhet të kishte shfaqje në ekip e gjithë koalicionit opozitar. Ai duhet t'i jepte vlerë bashkimit të 12 partive në një koalicion", tha kreu i PR-së në intervistën e dhënë në Report Tv.

Ishim në zgjedhje parlamentare dhe vlera e çdo kandidati është shumë e rëndësishme dhe dalja e z. Basha me kandidatët do të ishte diçka pozitive. Ndërsa në Tiranë nuk mund të ndaheshin në klasa kandidatët. Kur flasim për koalicion të gjitha partitë kanë peshë elektorale. Për shembull roli i z. Duka në Durrës është i pamohueshëm", vijoi ai duke nënvizuar gjithashtu se PD dhe koalicioni në këto zgjedhje kanë arritur një rezultat elektoral pozitiv, në raport me rritjen.

Sipas tij tani në vijim PD ka detyrën të riformatojë të djathtën dhe për këtë duhet të ketë një proces gjithëpërfshirës edhe në PD.  Mediu foli gjithashtu edhe për një analizë se si ka funksionuar aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim që të mos ripërsëriten gabimet.

Në intervistën në Report Tv, kreu i Partisë Republikane tha se 25 prilli ishte një proces zgjedhor i manipuluar.