Imami: Imazhi i PD është për faqe të zezë! Nëse Basha është ende drejtues, Rama mandatin e katërt do ta ketë më të lehtë

18 Maj 2021, 22:57 | Përditesimi i fundit: 2021-05-18 23:02:43

Për Arben Imamin, imazhi i Partisë Demokratike sot është për faqe të zezë dhe kjo për faktin se është në drejtimin e Lulzim Bashës, që sipas tij fle gjumë kudo që është. Duke u përgjigjur për heshtjen e ish-kreut të PD-së Sali Berishës, Imami tha se nuk ka asnjë koment, por shtoi se kush e kupton se kjo garë është e pabarabartë duhet të flasë, në rast të kundërt kush nuk flet është për garën e pabarabartë.

Imami sakaq tha se Edi Rama do të ketë edhe më të lehtë mandatin e katërt, nëse PD do të vijojë që të drejtohet nga Basha.

‘Nuk kam koment për Sali Berishën. Kjo garë është e pabarabartë, çdo kush që e kupton që gara është e pabarabartë duhet të flasë, kush nuk flet është për garën e pabarabartë. Janë shumë të rëndësishme, studiot televizive, kontaktet, komunikimi me qytetarë, nuk janë të lidhura thjeshtë më zëvendësimin e një njeriu, por me një Reformë të thellë të PD. Imazhi i PD sot është për faqe të zezë. Është Lul Basha duke flejt gjumë kudo që është.

Sali Berisha nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk është Sali Berisha kryetar i partisë, çfarëdo gabimi bën Sali Berisha e bën për vete, nuk konkuron Berisha, konkuron ky djali që është në gjumë. Ky imazh duhet ndryshuar, duhet bërë bashkimi në mënyrë që të shkojmë drejt në fitores. Mandati i katërt i Edi Ramës është më i lehtë se i treti. Ja ka thënë një mik i Ramës, merr të tretin se i katërti e merr më lehtë. Me një kallëp druri që bën të njëjtën gjë, sigurisht që nuk mund të rritet entuziazmi.’- tha Imami.