Impianti i parë fotovoltaik lundrues në Shqipëri fillon operimet tregtare, Balluku: Arritje e madhe

2 Qershor 2021, 18:12

Pas përfundimit me sukses të fazës së zbatimit dhe lidhjen me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, njësia e parë e Impiantit Fotovoltaik Lundrues të Banjës ka filluar operimet tregtare. Impianti po prodhon energji të rinovueshme dhe ajo po futet në rrjetin shqiptar të energjisë. Projekti ndodhet në rezervuarin e Banjës, ku Statkraft operon Hidrocentralin e Banjës me kapacitet të instaluar 72 Mw. Impianti Fotovoltaik Lundrues i Banjës është një projekt inovativ kërkim-zhvillimi me kapacitet të planifikuar të instaluar prej 2 Mwp.

Njësia e parë e këtij impianti, që përbehet nga 1536 panele diellore, ka kapacitet të instaluar prej 0.5 Mwp dhe mbulon një sipërfaqe afërsisht 4,000 m2. Veç kësaj, 160 panele të njëjtë janë vendosur në tokë për krahasim dhe dokumentim të efektit ftohës në panelet lundruese. Projekti planifikon të vazhdoje me fazën e dytë të zbatimit gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, kur do të instalohen edhe tre njësi të tjera lundruese, me kapacitet të instaluar shtesë prej 1.5 Mwp.