Ish-anëtari i KPA, Luan Daci kërkon pafajësi në apelin e GJKKO! Seanca e radhës më 5 shkurt

25 Janar 2021, 11:07

Është zhvilluar sot seanca e parë në apelin e GJKKO për ccështjen e Luan Dacit, ish-anëtarit të KPA, i cili është dënuar nga shkalla e parë me shërbim prove 1 vit dhe pezullim nga detyra. Në seancë Daci ka kërkuar pafajësi ndërkohë që prokurorët kërkuan kohë të japin qëndrimin e tyre

Gjykata vendosi që seanca e radhës të bëhet më 5 shkurt. Sipas Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shtyrja e seancës është bërë pasi është kërkuar përjashtimi i gjyqtares Mici, për konflikt interesi sepse ajo është në gjykim për Veting në Kolegjin i Posaçëm i Apelimit.

Kujtojmë se Luan Daci u bë zyrtari i parë i cili është dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO.

Luan Daci u dënua në seancën e zhvilluar më 1 dhjetor me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove. SPAK kishte kërkuar 1 vit burg. Vetë Daci e kishte paralajmëruar apelimin e vendim që kur u mor vendimi nga GJKKO. 

Sipas SPAK, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas, por tashmë ai është dënuar nga Gjykata.