Ish-deputeti i PD i drejtohet Berishës: Nuk rrëzohet Rama me konferenca shtypi, duhet protesta

1 Tetor 2022, 13:19

Është shoqëruar me debate mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së së Sali Berishës. Anëtari i këtij këshilli, ish deputeti Aleksandër Biberaj, tha se duhet aksion politik dhe se kjo qeveri duhet të rrëzohet me çdo kusht. Sipas tij Edi Rama nuk rrëzohet me konferenca, por me një axhendë të qartë. 

Biberaj: Propozim për të futur në rend dite aksionin politik që duhet ndërmarrë. Qytetarët presin aksion politik. Kaloi korriku e po vjen tetori e të gjithë shpresonim për një aksion politik. Rama me grupet kriminale ka ardhur koha që s’kanë më nevojë për denoncim, s’ka shqiptar që se di si është ai. Nuk rrëzohet Rama me konferenca shtypi. PS e shndërroi në sekt Rilindje dhe të njejtën ka bërë për Shqipërinë dhe nuk lejon votime të lira. Situata është shumë më e zjarrtë se sa këtu, ka shkuar në një situatë të tmerrshme. Si nuk lë zgjedhje. kujtoj Durrësin që ditën e votimit votuesit shkonin para zyrës së PS merrnin zarfin dhe pastaj votonin. Nuk shkohet në zgjedhje me Ramën e bandën e tij. Duhet ta rrëzojmë me të gjitha mënyrat. Ky është figura më e errët që ka nxjerrë Shqipëria.

Berisha: PD e ka për detyrë kryesore organizimin e revoltave të fuqishme paqësore dhe në kohën më të parë të mundshme. E ritheksoj se veprimtaria e PD-së është dhe duhet të jetë detyrimisht shumë planëshe. Duke u përqendruar me të gjithë potencialin e saj në organizimin, në aktivitetet e lidhura me primaret, ajo është dhe do mbetet, ka për detyrë kryesore organizimin e revoltave të fuqishme paqësore dhe në kohën më të parë të mundshme. As nuk është hequr dorë, as nuk do hiqet. Përkundrazi po punohet dhe do punohet me intensitet.  Do bëhet gjithçka për të bashkërenduar këtë aktivitet me të gjithë faktorët e rëndësishëm të Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë, me sindikatat, me forca të tjera politike. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi në mendim se kjo betejë duhet të nisë sa më parë.

    No videos found.