Italia fiton 'Eurovision 2021', Anxhela Peristeri e 21-ta, përcaktuese vota e publikut

23 Maj 2021, 08:32 | Përditesimi i fundit: 2021-05-23 12:14:03

"Måneskin" është grupi fitues i “Eurovision 2021”. Banda italiane performoi në skenën e Roterdamit me këngën “Zitti e buoni”. Ishte vota e publikut ajo që përmbysi gjithçka, duke i dhënë Italisë vendin e parë në garë.‘Rock n’roll nuk vdes kurrë’ ishin fjalët e para të grupit italian ndërsa ngjitej në skenë për të ngritur trofeun. Në vend të dytë është renditur Franca dhe në vend të tretë me 432 pikë Zvicra, e cila përfaqësohej nga një artisti me orgjinë shqiptare “Gjon’s Tears.

Vendi ynë përfaqësohej nga artistja shqiptare Anxhela Peristeri e cila këndoi e dyta në finalen e “Eurovision”. Ajo u rendit në vendin e 21-të në këtë festival duke grumbulluar 57 pikë, 22 nga juria dhe 35 nga publiku. Katër janë shtetet, të cilat votuan për vendin tone, San Marino që na vlerësoi me 2 pikë, Malta me 12 pikë, Danimarka me 7 pikë dhe Holanda me1 pikë. Kënga “Karma” mori ovacionet e publikut, por edhe vlerësime nga producentë mjaft të njohur në botë.

Festivali më i madh i këngës europiane u transmetua ‘live’ nga skena e “Rotterdam Ahoy”, në Holandë. Edicioni i radhës i Eurovision do të zhvillohet në Itali,  pas 31 vitesh. Kjo është hera e tretë që Italia fiton Festivalin Europian, pas Gigliola Cinquetti në 1964 dhe Toto Cutugno në 1990.