Iu vodhën europianëve 15 mln €, SPAK sekuestron 31 pasuri të dy anëtarëve të grupit kriminal

7 Mars 2025, 15:41 | Përditesimi: 7 Mars 2025, 15:41

 Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK sekuestroi 31 pasuri të dy anëtarëve të një grupi kriminal, Jusel Mici dhe Mendim Domi, të goditur në dhjetor 2022 , për mashtrim përmes call center dhe grup i strukturuar kriminal, ndërsa aktualisht, të dy janë në gjykim për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Me vendim të GJKKO u sekuestruan 21 pasuri në emër të Jusel Micit dhe familjarëve të tij, 4 apartamente në Tiranë, 5 parcela tokë arë në Mazrek të Tiranës me sipërfaqe totale prej gati 17 mijë metër katror, 6 hapësira garazhi, 1 njësi biznesi, 20% e shoqërisë tregtare “Super Foods”, një vilë me 2 kate në “Lalzi Marina Seaside” në Gjirin e Lalëzit dhe 3 makina luksoze.

10 pasuri iu sekuestruan bashkëpunëtorit të tij, Mendim Domi, gati 14 mijë metra katror tokë arë në Mazrek dhe Kashar, 1 apartament në Tiranë, 1 vilë në kompleksin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, 40% të aksioneve në shoqërinë tregtare “Super Foods” dhe 3 llogari bankare.

r.k./Shqiptarja.com