'Kam studio ligjore'! KLP - kërkesë Arta Markut: Nis hetimin ndaj prokurorit Arjan Ndoja

6 Nëntor 2019, 13:49

TIRANË -  Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka kërkuar Prokurores ë Përgjithshme, Arta Marku të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, për faktin që ky i fundit, i plagosur në atentat 5 ditë më parë, deklaroi dje në media se drejton edhe një studio ligjore ku ofron konsilencë për cështje të ndryshme. Kjo bie ndesh me ligjin - thotë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, duke ju referuar ligjit "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në kushtet kur ende nuk është krijuar  Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që do të merret me hetimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e ka në dorë Prokuroria e Përgjithshme. 

Por përse e bëri dje këtë deklaratë prokurori Ndoja?!

Ai ju përgjigj interesit të mediave, në lidhje me disa dosje që u gjetën në makinën e tij nga ekzaminimi pas atentatit. Ndoja tha se ato nuk janë dosje të prokurorisë, siç u hodhën dyshime se mund të ishin dosje për çështje pronash nga ato që u vodhën në prokurorinë e Durrësit në vitin 2018, por tha se ishin dosje të studios ligjore që ai drejton. Edhe bashkëshortja e tij ka një studio avokatie, por nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtën studio që mund të kenë bashkarish burrë e grua. KLP kërkon të faktohet nëse prokurori Arjan Ndoja e ka këtë studio ligjore, e cila do të përbënte shkelje, por edhe në rastin që mund të jetë e bashkëshortes së tij, mund të ketë element të konfliktit të interesit.

Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, zbuloi mbrëmë në emisionin "Repolitix" në Report Tv, se pikërisht studio e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit Ndoja ka mbrojtur në një proces gjyqësor një të moshuar, pas të cilit dyshohet të fshihet Landi Muharremi, ku i ka kaluar në pronësi 45 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Lalzit, që Bashkia e Durrësit në këtë proces, pretendonte se ishte shtetërore. Pra, bashkëshortja e prokurorit ka fituar në gjyqin që i mori nga duart tokën që shteti i dha biznesmenit libanez për të ndërtuar resort në Gjirin e Lalzit, dhe më pas i moshuari Pal Seçuni mësohet t'ia ketë shitur Muharremajve nga Sukthi - Ndërkohë prokurori Arjan Ndoja, 5 ditë më parë, ndodhej në makinën e tij me Landi Muharremin, njohur si i 'forti i Sukthit' me nofkën Rrumi, me precedentë të mëparshëm penalë, dhe i dyshuar (por asnjëherë i faktuar) si një nga personat që mund të fshihej pas dhunimit të biznesmenit Faad Mitri, ngjarje që e detyroi atë të heqë dorë nga investimi në Lalz dhe të largohet nga Shqipëria.

    No videos found.