Kartëmonedha me vlerë më të madhe se 10 mijë lekë? Sejko: S’është në projektet tona, mund të ndodhë në situatë të jashtëzakonshme

17 Qershor, 13:49

Prerja e kartëmonedhës 10 mijë lekë që është dhe vlera më e madhe në treg, ka ngritur pikëpyetje nëse do të ketë një prerje më të madhe se kaq. Guvernatori Sejko shprehet se aktualisht nuk parashikohet si mundësi, pasi nevojat e tregut përmbushen me serinë e re.

“Jo, ne nuk parashikojmë që të kemi një prerje më të madhe se 10.000 lekëshi. Nuk kemi asnjë plan. 10.000 lekëshi në fakt ka qenë planifikuar për t’u hedhur në qarkullim, vite para se unë të vija në Bankën e Shqipërisë, para mandatit tim. Veçanërisht periudha e krizës nga pandemia e COVID-it, rriti përdorimin e parasë në qarkullim për ato arsye që ne i kemi komunikuar gjatë konferencave tona të politikës monetare dhe sigurisht që nevoja për një prerje më të lartë ka vite që ka ardhur. Ne materializuam një nevojë të ekonomisë dhe të tregut për prerjen më të madhe që vlerësuam 10.000 lekë, pra Këshilli Mbikëqyrës e vlerësoi prerjen 10.000 lekë. Por nuk parashikojmë që të kemi një prerje më të madhe, pra për momentin prerja 10.000 lekë është prerje që u përgjigjet nevojave të tregut, përdoruesve dhe nevojave të ekonomisë për para fizike”, tha Sejko.

Një kartëmonedhë me vlerë më e lartë se 10 mijë lekëshi do të projektohet vetëm në rast se do ketë inflacion të lartë dhe krizë të jashtëzakonshme.

“Nëse do të ketë një inflacion pas shumë vitesh, më të lartë, rritje çmimesh, fluturime në faktorët ekonomikë, parametrat, atëherë është tjetër histori. Rishikohet sipas situatave. Zakonisht këto ndodhin në situata krizash. Aktualisht ne jemi në një moment stabël ekonomik, kemi parashikimet tona dhe nuk parashikojmë që të kemi situata të tilla që të na detyrojnë neve që të hedhim prerje më të larta në qarkullim”, pohon guvernatori.

Kategori të tjera

    Nuk u gjeten video për këtë Kategori!

Shiko të gjitha