Kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë, nis seanca gjyqësore për gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe mjekun Edvin Prifti

2 Mars 2021, 12:56

Ditën e sotme kanë dalë përpara gjykatës së Apelit gjyqtarja Enkelejda Hoxha dhe mjeku Edvin Prifti. Nertina Kosova dhe Dhimitër Lara dhe Sokol Binaj do të jenë tre gjyqtarët të cilët do të shqyrtojnë në gjykatën e Apelit kërkesën për liri të koleges së tyre të arrestuar. 

Pak ditë më parë, pas hetimit disa mujor të SPAK, u vu në pranga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, teksa po zhvillonte seancën gjyqësore për lirimin e një tjetër të dënuari, Saimir Petani. Mes të arrestuarve janë edhe sekretarja e Gjykatës, Emanuela Mallkuçi ekspert shëndetësor dhe avokati Aldo Tabaku të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë kriminale bënin lirimin e të dënuarve. 

Nga ana tjetër, Prifti u la pak ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, por menjëherë më pas avokatët kanë depozituar në Gjykatën e Apelit kërkesën për lirimin e tij. Emri i tij doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua disa ditë më parë me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t'i operuar nënën. Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.