Shqyrtimi i nismës së propozuar nga PD për ndryshimet kushtetuese dhe nisma e PS për zgjatjen e afateve të vettingut është bërë sërish objekt përplasjeje mes opozitës dhe maxhoranxës. Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj i kërkoi opozitës që të rishikojnë kalendarin e punimeve, pasi nuk dua që t’i bashkojnë të dyja nismat.
“Kalendari i punimeve përkon pikë për pikë me kalendarin e punimeve për nismën që ka propozuar PS. Ne nuk duam të bashkojmë dy nismat. Unë iu ftoj kolegët që ta rishikojnë kalendarin dhe në mbledhjen tjetër ne ta miratojmë”, tha Felaj.
Por ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, PD nuk ka rënë dakord me këtë propozim. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi tha se dy nismat duhet të ecin paralelisht.
“Ne nuk biem dakord që ndryshimet në kushtetutë kanë karakter teknik. Nuk është dokument teknik dhe si e tillë nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese të karakterit teknik. Rregullorja e kuvendit e bën të qartë afatin. Të dyja nismat duhet të ecin paralelisht sepse momenti që miratohet raporti nga kjo mbledhje duhet ti nënshtrohet shqyrtimit në seancë. Nëse nuk ecin paralelisht i bie që në dhjetor të shqyrtojë çështjen e parë dhe pas dy javës të mbledhim prap në seancë plenare dhe të bëjmë një ndryshim në kushtetute. Kjo nuk është serioze. Nuk ka asnjë shpjegim që të martën ti thërrasim për një iniciativë, të mërkurën të vijmë prap për tjetrën”, tha Bardhi.


















