Konfiskimi i ndërtimeve pa leje, Rama-kritikëve: I bien fyellit në një vrimë! Problematikën e ngritëm ne, rrëzohet miti i legjendave urbane të fshehjes time pas kullave

28 Shtator 2022, 13:48 | Përditesimi i fundit: 2022-09-28 16:33:06

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për kritikat që merr qeveria për vendimin e konfiskimit të ndërtimeve pa leje duke thënë se problematikën e ngriti vetë PS. Sipas tij, kjo rrëzon mitin e pazareve dhe legjendat urbane të fshehjes së Ramës prapa kullave. Ndërsa për prokurorët e gjykatësit e korruptuar, u shpreh se nuk kanë hyrë ende në fshesën e vettingut.

“Jam shumë i keqardhur dhe i mëshiroj të gjithë ata që vazhdojnë i bien fyellit në një vrimë që nuk ka asnjë lidhje me thelbin dhe rezultatin e kësaj nisme. Duke theksuar këtë problematikë nuk e ngriti as politika, as media, as drejtësia, por e ngritëm ne për një arsye të thjeshtë, sepse asnjë nga ata që ndërtojnë metra katror për qëllim fitimi nuk na mban dot lidhur me asgjë. Kjo masë rrëzon të gjithë mitin e pazareve dhe legjendat urbane të fshehjes sime apo tonë prapa kullave apo pallateve. Po të ishte kështu, askush nuk do merrte vesh gjë dhe drejtësia që duhet të veprojë do të kishte vijuar të bënte atë që ka bërë.

Ne nuk kemi vënë vetë as prokurorë as gjykatës, kemi bërë një reform për t’i pastruar, shumë prej të cilëve janë për të hyrë në fshesën e vettingut. Por fuqia e tyre ka mbaruar sepse subjektet ose duhet t’i dorëzojnë me qëllim të lirë, ose i parablejnë por me një cmim i cili e bën krejtësisht të paarsyeshme ndërtimin e mëtejshëm të metrave katror për qëllim fitimi ose do t’ju konfiskohet. Në të gjitha rastet, paguan gjobën deri në fund. Duhet të jesh me urrejtje që nuk të lë të shohësh për të akuzuar për këtë masë që i jep fund një historie shumë vjecare. E fundit që kam, ku ishit ju, pse tani? Ne këtu ishim, këtu kemi qenë dhe për këtë arsye sot, këto metra katror janë 10-fish më pak se cfarë ndodhte kur nuk ishim këtu. Kjo është betejë që nuk fitohet brenda një viti se do e kishin fituar dhe shtete të tjera si Italia, Spanja e Portugalia. Shtegun e hapur të drejtësisë ne nuk e mbyllim dot, por ne mund ta bëjmë absurd shpenzimin për të ndërtuar metra katror me qëllim përfitimi”, tha Rama.

    No videos found.