Krimet zgjedhore/ Dumani: Për 43 kallëzime kanë nisur hetimet, SPAK ka ushtruar kontrolle e sekuestruar dokumente

26 Qershor, 10:39 | Përditesimi: 26 Qershor, 10:39

 

Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se janë evidentuar 192 raste të dyshuara për krime zgjedhore. Sipas tij, janë regjistruar 43 procedime penale, të cilat kanë kaluar në fazën e hetimit aktiv, ndërsa për 43 raste të tjera është vendosur mosfillimi i procedimit penal.

Po ashtu, 40 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë pranë prokurorive të rretheve, ndërsa 17 të tjera janë bashkuar me procedime ekzistuese.

“Hetimet për një pjesë të konsiderueshme të procedimeve janë aktive,” deklaroi Dumani, duke bërë të ditur se janë ushtruar kontrolle në banesa, zyra personale, dhe janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejimin e kontrollit të dokumenteve dhe materialeve me interes hetimor.

SPAK ka sekuestruar prova e dokumente që shërbejnë në zbardhjen e veprave penale të dyshuara. Dumani theksoi se shumë prej kallëzimeve të depozituara nga partitë politike kanë qenë “të paplota dhe shpesh të pasakta”.

Sipas kreut të Prokurorisë së Posaçme, janë ankimuar tre vendime për mosfillim hetimi, por Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimet e SPAK, duke mos i pranuar ankesat.

r.k./Shqiptarja.com