Krimi shtetëror i 21 janarit/ SPAK pyet vëllanë e Hekuran Dedës! Burime: Së shpejti thirren edhe gardistët e grupit të zjarrit, mes tyre Ndrea Prendi

28 Janar, 11:25

TIRANË- SPAK po vijon marrjen në pyetje për hetimet mbi dosjen e 21 janarit. Paraditen e sotme në SPAK janë paraqitur dy vëllezërit e Hekuran Dedës, një prej protestuesve që u vra nga plumbat e shtetit 21 janarin e 2011 gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Kjo është hera e parë që ata japin shpjegime në SPAK, ndërsa sot po pyetet vetëm njëri prej tyre, Zabit Deda. Marrja në pyetje për vëllanë tjetër, Agim Deda do të vijojë ditën e nesërme. Vrasja e Hekuran Dedës është pa autor, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Prova më e fortë që SPAK ka për 21 janarin, audio e komunikimit të brendshëm të personave që dhanë urdhrin për të qëlluar me plumba mbi protestuesit, është duke u ekspertuar në laboratorin e SPAK. Ndërkohë, burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi bëjnë me dije se SPAK pritet të marrë së shpejti në pyetje gardistët që qëlluan drejt protestuesve më 21 janar 2011, mes tyre edhe vetë ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi. Ky i fundit dyshohet se del në audion e komunikimit teksa jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër.