Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte thirur për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por nuk është paraqitur pasi ndodhej jashtë vendit. Në një prononcim për Report Tv, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se Kurti nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të axhendës.
Ndërkohë, Kryeziu thekson se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Kryeziu për Report Tv.