Prokuroria e Gjirokastrës po heton mbi shkaqet e vetëvrasjes së Irsa Muçollarit, nxënëse e gjimnazit "Siri Shapllo" në qytetin e Gjirokastrës. Hetimet nisën kryesisht, me indicie, pasi në rrjetet sociale u publikuan disa mesazhe të shkëmbyera nga shokët e saj të klasës, ku thuhej se 17-vjeçarja bullizohej nga nxënësit dhe mësuesit.
Prokuroria fillimisht ka marrë në pyetje prindërit e vajzës së ndjerë. Burime nga policia gjyqësore thanë se prindërit kanë deklaruar se vajza ishte në gjendje të rënduar emocionale dhe e mbyllur në vetvete. Për shkak të natyrës së saj, ata nuk u përqendruan për të marrë masa parandaluese. Po kështu, prokuroria pritet të marrë në pyetje shokët e klasës së 17-vjeçares dhe mësuesit për të zbardhur shkakun që e çoi drejt aktit ekstrem.
Report Tv kontaktoi drejtuesit e shkollës "Siri Shapllo", të cilët nuk pranuan të prononcohen pa urdhër nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, dy nxënës jashtë kamerës thanë se një mësuese e lëndës së anglishtes e kishte vënë në presion 17-vjeçaren me veprime bullizuese.
















