Kush e pengon ekzekutimin e gjobës kundër Klodjan Allajbeut të Tregut Agro Ushqimor?

11 Korrik 2019, 15:25

TIRANË-Kanë kaluar tre javë nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, por ende nuk është zbardhur për të bërë ekzekutimin e gjobës prej 46 mln lekësh ndaj kompanisë “Ekma Albania". Por kush qëndron pas shoqërisë monopol të Tregut Agro Ushqimor në Tiranë? Bëhet fjalë për biznesmenin Klodjan Allajbeu. Përveçse është administrator i shoqërisë, Allajbeu kontrollon 66.7 për qind të aksioneve të shoqërisë “Ekma Albania" nga viti 2014. Lidhur me mungesën e zbardhjes së vendimit që do të sillte ekzekutimin e gjobës, ka reaguar i shqetësuar Autoriteti i Konkurrencës.

"Më datë 18.06.2019, Gjykata Administrative e Apelit, në dhomë këshillimi me Relatore Zj. Alkelina Gazidedja, vendosi rrëzimin e kërkesës për sigurimin e padisë nga ana e shoqërisë “EKMA Albania” SHPK, dhe pranimin e Ankimit të Autoritetit të Konkurrencës, duke i krijuar kështu mundësinë për ekzekutimin e gjobës dhe masave rregulluese. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 (tre) javë nga marrja e vendimit, Gjykata Administrative e Apelit nuk e ka zbardhur ende atë.

Autoriteti i Konkurrencës shpreh shqetësim lidhur me këtë vonesë dhe do të vlerësonte ngritjen e kësaj çështjeje nga ana e Medias në platforma të ndryshme" deklaron Autoriteti  i Konkurrencës. Në datë 18 Qershor Apeli Administrativ i dha lejen Shërbimit Përmbarimor të ekzekutojë për favor të shtetin 46 milionë lekë të gjobës vendosur ndaj kompanisë EKMA, që u gjobit nga autoriteti Konkurrencës, por moszbardhja e vendimit prej tre javësh ka bllokuar ekzekutimin e gjobës. 

Investigimi i Report Tv, përse u gjobit EKMA?
Nga investigimi i Shqiptarja.com dhe Report TV rezultoi se tregu agro-ushqimor në Kashar, në pronësi 100% të shoqërisë EKMA Albania, kryente abuzime të mëdha me tregtarët. Çmimet që duhet t’i pagunin tregtarët pronarit të tregut ishin më të lartat në rajon, kushtet kontraktore ishin skllavëruese dhe rezultati ishte që tregtarët detyroheshin  të transferonin këto kosto jashtëzakonisht të mëdha mbi çmimet përfundimtare të produkteve agro-ushqimore të tregut të pakicës, ndërkohë që pronarët e Tregut Agro-Ushqimor siguronin  fitime me vlerë miliona euro.

Vetëm në vitin 2017 norma e fitimit rekord e Tregut Agro-Ushqimor të Tiranës ka qenë 76%: pra për çdo 100 lekë të arkëtuara, 76 lekë janë fitim i pastër për pronarët. Në një deklaratë të bërë pak javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se në mandatin e katër viteve të ardhshme do të prishet monopoli i krijuar nga ky treg ushqimor, duke i hapur rrugën krijimit të një tregu të ri që do të shërbejë edhe si pikë grumbullimi.