Ndonëse Kuvendi pritet të votojë sot për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, duket se kjo çështje nuk përbën shqetësim për këtë të fundit, ndërsa vijon me axhendën e tij të planifikuar. Meta ka preferuar as të mos paraqitet në seancën e sotme në Kuvend për të folur para ligjvënësve, por bëhet gati të presë në Presidencë Ansamblin Folklorik të Dibrës “Hazis Ndreu”.Në kuadër të nismës "Artistët në Presidencë" po zhvillohet një aktivitet kulturor, ku Meta nderon me Tituj edhe disa nga personalitetet e këtij Ansambli, si dhe do të mbajë një fjalë rasti.
"Jam shumë i lumtur, që në këtë ditë kaq të bukur pranvere, të mikpres në Institucionin e Presidentit të Republikës, Ansamblin Folklorik të Dibrës “Haziz Ndreu”, që me aq përkushtim u transmeton brezave, traditat folklorike të një treve të shquar atdhetare. Dibranët janë shembull frymëzues i pasionit për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore kombëtare. Pas pak, ju ftoj të gjithëve të ndiqni live, këtë aktivitet kulturor, reflektim të shpirtit artistik të jashtëzakonshëm të dibranëve", ka shkruar Meta në rrjetet sociale.




