Laborator 'Bitcoin' në Fier, si e zbuloi policia nga vjedhja e energjisë! Një i arrestuar dhe një i shpallur në kërkim

26 Qershor 2021, 13:11 | Përditesimi: 26 Qershor 2021, 13:11

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim ditën e sotme në Fier, pasi akuzohen se kishin ngritur një strukturë për prodhimin e kriptovalutave.

Mësohet se në pranga ka rënë Fabjo Braçaj, banues në Tiranë dhe është shpallur në kërkim Fatjon Koçi, banues në Sarandë. Policia ra në 'gjurmët' e tyre pasi u konstatua një vjedhje e energjisë elektrike, që përdorej për prodhimin e kriptovalutave.

 

Braçaj dhe Koçi akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare, pajisje ndihmëse elektronike etj.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

Kujtojmë se laboratori i parë për prodhimin e monedhave virtuale u zbulua në maj të këtij viti, pas vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema. Laboratori i kriptomonedhave ishte në pronësi të viktimës dhe grupit të miqve të tij, mes të cilëve edhe Marjus Dema i cili qëlloi për vdekje 27-vjeçarin.

r.k./Shqiptarja.com