Lëvizte me drogë në mjet, kapet 23-vjeçari në Krujë

25 Nëntor 2022, 13:58

Lëvizte me rreth 3 kg lëndë narkotike kanabis në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 23-vjeçari.

Sekuestrohet lënda narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e fenomeneve kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bridge".

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi R. M., 23 vjeç, banues në Kamerras, Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin qarkullonte 23-vjeçari, kanë gjetur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 3 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit R. M.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë.