TIRANE-Sonte në orën 19:00 opozita do të zhvillojë protestën e tetë kombëtare përpara Kryeministrisë duke kërkuar sërish largimin e Edi Ramës nga pushteti, pasi e akuzojnë si të lidhur me krimin. Protesta e sotme vjen pas daljes së përgjimeve të reja nga gazeta gjermane 'Bild', ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha tha se një nga arsyet pse PD ka zgjedhur të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, është se nuk mund të konkurrojnë politikisht - sipas tij me kriminelët.
"Ata që mendojnë ndryshe janë të verbër ose naivë. Edi Rama është i zhytur në krim. Edi Rama duhet të ikë, të bashkohemi për ta larguar", theksoi ai.Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e sapo kthyer nga një operacion në Itali, tha dje se protesta e sotme është e qytetarëve të Tiranës.
Policia ka hartuar planin e masave për të shmangur incidentet dhe për të garantuar sigurinë, pasi në protestat e fundit të opozitës janë shënuar akte dhune ndaj efektivëve dhe institucioneve. Në gatishmëri do të jenë 1300 forca policie, do të vendosen gardhe metalike para Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Parlamentit, por edhe kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar ata që kryejnë akte dhune. Opozita ka kërkuar leje për protestë nga ora 19:00 deri në mesnatë, por policia ka dhënë leje vetëm për dy orë, pra deri në 21:00.
Protesta e sotme e opozitës joparlamentare, ka shumë gjasa që të ketë episode të dhunshme edhe më të përshkallëzuara se në ato të mëparshmet. Shqiptarja.com mëson se një informacion i tillë ka mbërritur tek agjencitë shqiptare të sigurisë nga agjencitë e huaja partnere, ndërsa SHBA dhe BE kanë paralajmëruar liderët e opozitës.