TIRANE-Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe dosjet e vjetra ishin në qendër të diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin 'Repolitix' pas takimit mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek në Athinë ditën e sotme. Zyra e shtypit të kryeministrit Edi Rama pas takimit në njoftimin për mediat theksonte se 'Mitsotakis mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri'.
Ndërkohë që kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis bëri një postim në rrjetet sociale, ku shkruante se "Me kryeministrin shqiptar Edi Rama diskutuam perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe çështje të tilla si prona dhe vetëdeklarimi/regjistrimi që ka një rëndësi thelbësore për Pakicën Kombëtare Greke në Shqipëri". Debati lidhet me termin e përdorur nga kryeministri grek 'αυτοπροσδιορισμού' (i përthyer në shqip (vetëidentifikim-vetëdeklarim). Por për gazetarin Aleksandër Çipa 'thembra e Akilit' qëndron pikërisht te ky term që ka përdorur kryeministri grek për regjistrimin e minoritetit duke e interpretuar si 'regjistrim me vetëvendosje'. Sipas Çipës termi që ka përdorur ai është provokativ.