Mblidhet Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës, Hyseni: Më 18 maj seancë dëgjimore me Presidentin

11 Maj 2021, 13:23 | Përditesimi i fundit: 2021-05-11 15:57:02

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e dytë. Kryetrari i komisionit, Alket Hyseni tha se javën që vjen do të ketë një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës. 

Data paraprake është caktuar më 18 maj, por shtoi Hyseni do të diskutojnë me zyrën e Presidencës për të gjetur një datë të duhur por brenda javës që vjen pasi këto janë limitet kohore të Komisionit.

Këtë fundjavë do të dorëzohen të gjitha raportet e kërkuara nga institucionet lidhur me objektin e hetimit, ndërsa më 24 maj të bëhet prezantimi përfundimtar i raportit në Komisionin Hetimor dhe më pas t'i çohet Kuvendit.

Një nga pikat e diskutuar më gjatë, që u miratua pa asnjë votë kundër, është caktimi i ekspertëve për marrjen e ekspertizës që kërkon njohuri të posaçme lidhur me objektin e hetimit, që është nëse Meta ka shkelur apo jo Kushtetutën me deklarata e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor. Kjo pati një kritike nga anëtari Spartak Braho, i cili tha se nuk duhet nxituar dhe se ekspertët të zgjidhen me tituj dhe të vlerësuar, pasi një ekspertizë e keqe do të sillte 'varrosjen' e çështjes.