Kancelarja Angela Merkel deklaroi se qeveria gjermane ka dhënë një rekomandim pozitiv lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, por fjalën e fundit do ta thotë Bundestagu në datë 26 shtator. Kështu deklaroi Merkel pesë ditë pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin.
Kancelarja u pyet lidhur me opinionin e Francës dhe Holandës, që janë dy nga vendet skeptike për zgjerimin, por u përgjigj vetëm për Gjermaninë. “Nuk mund të flas për vendet e tjera pasi ato vendosin vetë, por së pari mund të them për pozicionin gjerman, i cili lidhet me Bundestagun gjerman.
Qeveria ka dhënë një rekomandim pozitiv për të dy vendet me specifikat e veta, si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe për Shqipërinë, por është Bundestagu ai që do të vendosë dhe besoj së shpejti do të kemi një vendim” deklaroi Merkel gjatë konferencës me kryeministren e Serbisë.
Të premten pas takimit me Angela Merkel, kryeministri Edi Rama tha se mori vlerësime pozitive dhe inkurajuese nga Gjermania sa si përket hapjes së negociatave me BE-në dhe mesazhi optimist është pikërisht rekomandimi pozitiv i qeverisë gjermane për Bundestagun.
Një tjetër mesazh inkurajues sot erdhi edhe nga kryetari i Komisionit parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve në parlamentin gjerman Patrick Ernest Hermann Sensburg, i cili gjatë vizitës në Tiranë vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit duke kërkuar hapjen e negociatave.
Por, sipas burimeve të DW në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU Bundestagu pritet që ti vendosë nëntë kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave. Vendimi do të merret në mes të tetorit.