Meta e shpall 'non grata' ambasadorin në presidencë! Borchardt: OSBE është për dialog...Më lini të qetë

18 Nëntor 2019, 22:28

TIRANE- Presidenti Ilir Meta ka shpallur 'Non grata' në presidencë ambasadorin e OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, pasi sipas tij, ka vënë në disktutim dekretin e 5 muajve më parë të presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore, dhe nga incidenti i ndodhur në kryeqytet ku ambasadori i tregoi gishtin e mesit  disa protestuesve.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t'i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë", thuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

Nga selia blu ku mori pjesë në një takim me kryedemokratin Lulzim Basha, Borchardt ka refuzuar të komentojë këtë veprim të presidentit Ilir Meta, ndërs i ka kërkuar gazetarëve ta lënë të qetë. Ai ka deklaruar se OSBE është organizatë që kërkon dialog mes palëve.

Ambasadori i OSBE u përfshi në një incident me banorët e Astirit më 13 Tetor. Teksa po dilte nga hyrja e një pallati tek "Myslym Shyri" një prej banorëve të Unazës së Re që po protestonte para drejtorisë së Policisë duke kërkuar lirimin e banorëve të 'Astirit' i tha "Shame on you" ndërsa ambasadori reagoi duke i treguar gishtin e mesit. Pas incidentit Borchardt kërkoi edhe ndjesë publike.

Çfarë deklaroi Bochardt pasi Meta nxori dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit?

Ambasadori i OSBE Bernd Borchardt tha se u takon institucioneve shqiptare te zgjedhin cila palë ka argumentet më të mira ligjore. Sipas kryediplomatit, çfarë po ndodh është çështje mes Parlamentit, Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai u shpreh se deklarata e Presidenti Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet është çështje e brendshme ndërsa shtoi do të jenë institucionet shqiptare që do të zgjedhin se cila palë ka argumentet më të mira ligjore, duke mos u pozicionuar pro apo kundra tij.